eso1324sq — Publikim shkencor

Ekzoplaneti më i vogël i fotografuar deri tani?

03 Qershor 2013

Një skuadër astronomësh duke përdorur Teleskopin shumë të Madh të ESO-s kanë fotografuar një objekt të zbehtë që lëviz pranë një ylli të ndritshëm. Masa e tij llogaritet të jetë rreth 4 deri në 5 herë më të madhe nga ajo e Jupiterit, ai mund të jetë planeti më i vogël që është vëzhguar drejtpërdrejt jashtë Sistemit Diellor. Zbulimi është një kontribut i rëndësishëm për kuptimin tonë rreth formimit dhe evolimit të sistemeve planetare.

Megjithëse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë janë vëzhguar rreth një mijë ekzoplanetë – shumica duke përdorur shpejtësitë radiale ose metodat me tranzit [1] – si dhe shumë kandidatë të tjerë presin konfirmim, vetëm një dyzinë ekzoplanetësh janë vëzhguar drejtpërdrejt. Nëntë vjet pasi u fotografua ekzoplaneti i parë me Teleskopin Shumë të Madh të ESO-s, një shoqërues planetar i një xhuxhi kaf 2M1207 (eso0428), po e njëjta skuadër kapi në kamera objektin më të lehtë të gjetur deri më sot [2] [3].

Fotografimi direkt i planetëve është një teknikë jashtëzakonisht sfiduese e cila kërkon instrumentet më të avancuara, si ato të ndërtuara në sipërfaqen e tokës edhe ato në hapsirë,” thotë Julien Rameau (Institut de Planetologie et d'Astrophysique de Grenoble, France), autori i parë në botimin e këtij zbulimi. “Deri tani janë vëzhguar drejtpërdrejt vetëm pak planetë, duke e bërë secilin zbulim një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e kuptimit të planetëve gjigandë dhe se si formohen ata.”

Në vëzhgimet e reja planeti shihet si një pikë e zbehtë dhe e qartë pranë yllit HD 95086. Një vëzhgim i mëvonshëm gjithashtu tregoi se ai është duke lëvizur ngadalë së bashku me yllin nëpër qiell. Kjo tregon se objekti që është quajtur HD 95086 b është në orbitë rreth yllit. Ndriçimi i tij tregon se ai ka një masë rreth katër deri në pesë herë më të madhe se ajo e Jupiterit.

Skuadra përdori NACO-n, instrumentin me optikë adaptive të montuar në njërën nga Njësitë e Teleskopëve prej 8.2 metrash të Teleskopit Shumë të Madh të ESO-s. Ky instrument i mundëson astronomëve të heqin shumicën e efektit turbullues të atmosferës duke përftuar imazhe shumë të qarta. Fotografitë janë përftuar duke përdorur dritën infra të kuqe dhe një teknikë të quajtur fotografim me diferencim, e cila përmirëson kontrastin e planetit me yllin verbues.

Planet i ri i zbuluar rrotullohet rreth yllit të ri HD 95086 në një distancë rreth 56 herë të madhe sesa largësia Tokë-Diell, ose dy herë më e madhe sesa distanca Diell-Neptun. Vetë ylli është vetëm pak më i madh sesa Dielli. Ai rrethohet nga një disk prej gazi, pluhuri e gurësh. Këto veçori i kanë mundësuar astronomëve ta identifikojnë atë si një kandidat ideal për të strehuar planetë të rinj masivë. I gjithë sistemi ndodhet rreth 300 vite dritë larg nesh.

Rinia e këtij ylli, vetëm 10 -17 milion vite, i bën astronomët të besojnë se ky planet mund të jetë formuar brenda resë së gazit e të pluhurit që rrethon yllin. “Prej pozicionit aktual të tij ngrihen pyetjet rreth procesit të formimit të tij. Ai është rritur duke mbledhur gurë të cilët formojnë bërthamën e ngurtë dhe më vonë ngadalë duke mbledhur gaz nga mjedisi rrotull tij për të formuar atmosferën e trashë, ose ka nisur të formohet nga reja e gazit për shkak të paqëndrueshmërisë gravitacionale në disk.” Shpjegon Anne-Marie Lagrange, një tjetër antare e grupit. “Bashkëveprimet midis planetit dhe diskut ose me planetët e tjerë mund ta kenë zhvendosur planetin nga vend i tij i krijimit."

Një antar tjetër i skuadrës, Gaël Chauvin, përmbledh: “Ndritshmëria e yjeve i jep HD 95086 b një temperaturë të sipërfaqes rreth 700 gradë Celsius. Kjo është e mjaftueshme për avujt e ujit dhe ndoshta metanin që të ekzistojnë në atmosferën e tij. Ai mund të jetë një objekt i rëndësishëm për studim me anën e instrumentit të ri “SPHERE” që do të montohet në VLT. Ndoshta ky instrument do të zbulojë planetët e brendshëm të sistemit – nëse ato ekzistojnë.” [4]

Shënime

[1] Astronomët tashmë kanë konfirmuar ekzistencën e afërsisht njëmijë planetëve që rrotullohen rreth yjeve të tjerë. Gati të gjithë janë zbuluar duke përdorur metoda indirekte të cilat mund të detektojnë efektet që i shkaktojnë planetët yjeve të tyre – rënien e ndriçimit në rastin kur planeti kalon përpara yllit (metoda tranzite), ose luhatja që bëjnë yjet për shkak të tërheqjes gravitacionale të planetëve që rrotullohen rreth tyre (metoda e shpejtësisë radiale). Deri tani, vetëm një dyzinë ekzoplanetësh janë zbuluar drejtpërdrejt.

[2] Fomalhaut b mund të ketë një masë të vogël, por ndriçimi i tij shihet që është ndikuar nga drita e reflektuar nga pluhuri rrotull tij, duke bërë që masa e tij të mos përcaktohet saktë.

[3] Kjo skuadër gjithashtu ka vëzhguar një ekzoplanet rreth yllit Beta Pictoris (eso1024), si dhe disa të tjerë.

[4]SPHERE është një instrument i gjeneracionit të dytë të optikës adaptuese që do të instalohet tek VLT nga fundi i vitit 2013.

Më shumë informacion

Ky kërkim ishte prezantuar në një letër të titulluar, “Discovery of a probable 4-5 Jupiter-mass exoplanet to HD95086 by direct-imaging”, (Zbulimi një ekzoplaneti i HD95086 me masë rreth 4-5 herë më të madhe se ajo e Jupiterit me vëzhgim të drejtpërdrejtë), që do të shfaqet në botimet e Revistës “Astrophysical Journal”.

Skuadra përbëhet nga J. Rameau (Institut de Planetologie et d'Astrophysique de Grenoble France [IPAG]), G. Chauvin (IPAG), A.-M. Lagrange (IPAG), A. Boccaletti (Observatoire de Paris, France; “University Pierre et Marie Curie Paris 6” dhe “University Denis Diderot Paris 7, Meudon, France”), S. P. Quanz (Institute for Astronomy, ETH Zurich, Sëitzerland), M. Bonnefoy (Max Planck Instiute für Astronomy, Heidelberg, Germany [MPIA]), J. H. Girard (ESO, Santiago, Chile), P. Delorme (IPAG), S. Desidera (INAF–Osservatorio Astronomico di Padova, Italy), H. Klahr (MPIA), C. Mordasini (MPIA), C. Dumas (ESO, Santiago, Chile), M. Bonavita (INAF–Osservatorio Astronomico di Padova, Italy), Tiffany Meshkat (Leiden Observatory, the Netherlands), Vanessa Bailey (Univ. of Arizona, USA), dhe Matthew Kenworthy (Leiden Observatory, The Netherlands).

ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare mbi astronominë më e rëndësishmja në Evropë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që funksionojnë në tokë. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. ESO gjithashtu luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më uniket në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar eskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri europian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society
Tirana, Albania
Cel: +355 672506587
E-mail: buneci@hotmail.com

Julien Rameau
Institut de Planetologie et d'Astrophysique de Grenoble
France
Tel: +33 476 635 730
E-mail: julien.rameau@obs.ujf-grenoble.fr

Gaël Chauvin
Institut de Planetologie et d'Astrophysique de Grenoble
France
Tel: +33 476 635 886
E-mail: gael.chauvin@obs.ujf-grenoble.fr

Anne-Marie Lagrange
Institut de Planetologie et d'Astrophysique de Grenoble
France Tel: + 33 476 514 203
E-mail: anne-marie.lagrange@obs.ujf-grenoble.fr

Richard Hook
ESO, Public Information Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1324.

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1324sq
Emri:HD 95086 b
Tipi:• Milky Way : Star : Circumstellar Material : Planetary System
Facility:Very Large Telescope
Science data:2013ApJ...772L..15R

Fotografitë

Fotografi nga VLT e ekzoplanetit HD 95086 b
Fotografi nga VLT e ekzoplanetit HD 95086 b
Ylli HD 95086 në konstelacionin e Carina-s
Ylli HD 95086 në konstelacionin e Carina-s
Pamja e qiellit rreth rreth yllit të ri HD 95086
Pamja e qiellit rreth rreth yllit të ri HD 95086

Shih dhe