eso1327sq — Publikim shkencor

Surprizë prej pluhuri rreth një Vrime të Zezë Gjigande

20 Qershor 2013

Teleskopi Interferometrik Shumë i Madh ka mbledhur rezultatet më të detajuara të vrojtimeve që i janë bërë ndonjëherë pluhurit rrotull një vrime të zezë gjigande në qendër të një galaktike aktive. Në vend që ta gjenin të gjithë pluhurin ndriçues në zonën rreth vrimës së zezë astronomët gjetën një pjesë të madhe të tij në pjesën e sipërme dhe të poshtme të unazës prej pluhuri. Këto vrojtime treguan se pluhuri shtyhet nga vrima e zezë si një re e ftohtë – një gjetje surprizë, e cila sfidon teoritë e sotme dhe na tregon se si evolojnë dhe ndërveprojnë me mjedisin përreth vrimat e zeza supermasive.

Dhjetë vitet e fundit, astronomët kanë parë që gati të gjitha galakikat kanë nga një vrimë të zezë gjigande në qendër. Disa nga këto vrima të zeza rriten duke thithur lëndë nga rrethinat e tyre, duke krijuar objektet më energjike në Univers: bërthamat galaktike aktive (AGN). Zonat qendrore të këtyre vendeve energjike të ndritshme rrethohen nga pluhuri kozmik [1] i marrë nga hapsira përreth, ngjashëm me ujin që rrotullohet në lavaman kur hapim shkarkimin. Mendohet se shumica e rrezatimit të fortë që vjen nga AGN-të e kanë origjinën tek këto unaza pluhuri rrotull vrimave të zeza.

Por vëzhgimet e reja të galaktikës së afërt të quajtur NGC 3783, duke u ndihmuar nga fuqia e Teleskopit Interferometrik Shumë të Madh (VLTI) tek Observatori i ESO-s në Paranal në Kili [2], i ka dhënë skuadrës së astronomëve një surprizë. Megjithë pluhurin e nxehtë – rreth 700 deri 1000 gradë Celsius – që realisht ishte në unazën e pluhurit ashtu siç pritej, ata gjetën sasi të mëdha pluhuri të ftohtë mbi dhe poshtë kësaj unaze kryesore [3].

Siç shpjegon Sebastian Hönig (Universiteti i Kalifornisë Santa Barbara, USA dhe Universiteti Christian-Albrechts në Kiel, Gjermani), autor kryesor i materialit që prezanton këto rezultate të reja, “Kjo është hera e parë që ne kemi patur mundësinë të kombinojmë vëzhgimet e detajuara me dritë në mes të spektrit infra të kuq të pluhurit në temperaturën e dhomës rreth AGN-së me vëzhgimet e ngjashme të detajuara të pluhurit shumë të nxehtë. Kjo gjithashtu përfaqson paketën më të madhe mbi interferometrinë në infra të kuqe të publikuar deri më sot në lidhje me këtë AGN.

Pluhuri i sapo zbuluar formon një erë të ftohtë që del nga vrima e zezë. Kjo erë mund të luajë një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin kompleks ndërmjet vrimës së zezë dhe mjedisit rreth saj. Vrima e zezë ushqehet me material nga rrethinat e saj, por rrezatimi intensiv, që prodhohet nga thithja e materialit, shihet që e shtyn materialin larg vrimës së zezë. Është akoma e paqartë se si punojnë së bashku këto dy procese duke lejuar vrimën e zezë të rritet dhe të evolojë brenda galaktikës, por prezenca e një ere pluhuri shton edhe një pikpyetje tjetwr nw këtë skenë.

Me qëllim që të hetojnë rajonet qëndrore të NGC 3783, astronomëve u nevojitej të përdornin fuqinë e kombinuar të Njësive të Teleskopëve të Teleskopit Shumë të Madh të ESO-s. Duke përdorur këto njësi së bashku ato formojnë një interferometër nga i cili mund të përftojmë një resolucion të barazvlefshëm me atë të një teleskopi 130 metërsh.

Një antar tjetër i skuadrës (Max-Planck-Institut für Radioastronomie, Bon, Gjermani), shpjegon, “Duke kombinuar pasqyrat e VLT-së, nga më të mëdhatë në botë, me anën e interferometrisë arrihet një ndjeshmëri e lartë dhe ne jemi në gjendje të mbledhim dritë mjaftueshëm që të shohim objektet e errëta. Kjo na lejon neve të studiojmë një zonë aq të vogël sa largësia e Diellit me yllin më të afërt, në një galaktikë dhjetra milionë vjet-dritë larg. Asnjë sistem tjetër optik apo infra i kuq në botë nuk është i aftë ta arrijë këtë.

Këto vrojtime të fundit mund të na ndryshojnë modelin e sotëm të AGN-ve. Nga këto vrojtime shihet qartë që pluhuri largohet nga vrima e zezë për shkak të forcës shtytëse të rrezatimit të fuqishëm. Modelet se si pluhuri pozicionohet në prani të vrimave të zeza dhe se si vrimat e zeza super masive rriten dhe evolojnë duket të marrin parasysh këtë efekt të ri të sapozbuluar.

Hönig përfundon duke thënë, “Tani jam duke pritur më shumë nga instrumenti MATISSE që po ndërtohet, i cili do të na lejojë të bashkojmë të katër Njësitë e Teleskopëve të VLT-së dhe të vëzhgojmë njëkohësisht në zonën pranë infra të kuqes – duke na dhënë të dhëna edhe më të detajuara.” MATISSE, instrument i gjeneracionit të dytë që do të përdoret tek VLTI.

Shënime

[1] Pluhuri kozmik përbëhet nga silici dhe thërmijat e grafitit – minerale gjithashtu të bollshme këtu në Tokë. Bloza që formohet nga qiriri është shumë e ngjashme me pluhurin e grafitit kozmik, megjithëse përmasat e thërmijave në blozën e qiririt janë mbi 10 herë më të mëdha se përmasat e zakonshme të pluhurit të grafitit në kozmos.

[2] VLTI formohet nga kombinimi i të katër Njësive të Teleskopëve prej 8.2-metrash, ose dhe të katër Teleskopëve të lëvizshëm ndihmës me diametër prej 1.8-metrash. Kjo përdor një teknikë të quajtur si interferometri, në të cilën instrumente të sofistikuara kombinojnë dritën që vjen nga teleskopët në një të vetme. Megjithëse ajo zakonisht nuk prodhon fotografi normale, kjo teknikë rrit në mënyrë dramatike nivelin e detajeve që mund të maten në vrojtimet përfundimtare, e barazvlefshme me atë që mund të masim me një teleskop hapsinor me diametër mbi 100 metra.

[3] Pluhuri i nxehtë u skanua me instrumentin AMBER tek VLTI në gjatësitë e valëve pranë infra të kuqes dhe me vrojtimet e reja të raportuara këtu duke përdorur instrumentin MIDI në gjatësitë e valëve 8 dhe 13 mikronë në mesin e gjatësitë e valëve infra të kuqe.

Më shumë informacion

Ky kërkim u prezantua në një letër të quajtur "Pluhuri në zonat polare si një kontribues kryesor i rrezatimit infra të kuq të Bërthamave Aktive të Galaktikave", nga S. Hönig et al, për t'u shfaqur në revistën e Astrofizikës së datës 20 Qershor 2013.

Skuadra përbëhet nga S. F. Hönig (University of California in Santa Barbara, USA [UCSB]; Christian-Albrechts-Universität zu Kiel, Germany), M. Kishimoto (Max-Planck-Institut für Radioastronomie, Bonn, Germany [MPIfR]), K. R. W. Tristram (MPIfR), M. A. Prieto (Instituto de Astrofísica de Canarias, Tenerife, Spain), P. Gandhi (Institute of Space and Astronautical Science, Kanaëaga, Japan; University of Durham, United Kingdom), D. Asmus (MPIfR), R. Antonucci (UCSB), L. Burtscher (Max-Planck-Institut für extraterrestrische Physik, Garching, Germany), W. J. Duschl (Institut für Theoretische Physik und Astrophysik, Christian-Albrechts-Universität zu Kiel, Germany) dhe G. Weigelt (MPIfR).

ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare mbi astronominë më e rëndësishmja në Evropë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që funksionojnë në tokë. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. ESO gjithashtu luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më uniket në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar eskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri europian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society
Tirana, Albania
Cel: +355 672506587
E-mail: buneci@hotmail.com

Sebastian Hönig
University of California Santa Barbara
USA
Tel: +49 431 880 4108
Cel: +49 176 9995 0941
E-mail: shoenig@physics.ucsb.edu

Poshak Gandhi
University of Durham
United Kingdom
E-mail: poshak.gandhi@durham.ac.uk

Gerd Weigelt
Max-Planck-Institut für Radioastronomie
Bonn, Germany
E-mail: weigelt@mpifr.de

Wolfgang Duschl
Christian-Albrechts-Universität zu Kiel
Kiel, Germany
E-mail: wjd@astrophysik.uni-kiel.de

Richard Hook
ESO
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1327.

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1327sq
Emri:NGC 3783
Tipi:• Local Universe : Galaxy : Activity : AGN
• Local Universe : Galaxy : Component : Central Black Hole
Facility:Very Large Telescope Interferometer
Science data:2013ApJ...771...87H

Fotografitë

Përshtypje artistike e rrethinave të një vrime të zezë supermasive tek NGC 3783
Përshtypje artistike e rrethinave të një vrime të zezë supermasive tek NGC 3783
Wide-field view of the region around galaxy NGC 3783
Wide-field view of the region around galaxy NGC 3783
vetëm në Anglisht
 The active galaxy NGC 3783 in the constellation of Centaurus
The active galaxy NGC 3783 in the constellation of Centaurus
vetëm në Anglisht

Videot

Outflow from active galaxy NGC 3783 (artist’s impression)
Outflow from active galaxy NGC 3783 (artist’s impression)
vetëm në Anglisht

Shih dhe