eso1334sq — Publikim shkencor

Nga yll-formim në erë-yjore

ALMA hedh dritë mbi misterin e mungesës së galaktikave të mëdha

24 Korrik 2013

Vëzhgimet e reja me teleskopin e ALMA-s në Kili u kanë dhënë astronomëve pamjen më të mirë të marrë deri më sot ku tregohet se me sa furi mund të largojë gazin nga galaktika procesi i formimit të yjeve duke pakësuar sasinë e lëndës që nevojitet për të formuar yjet e gjeneratave të ardhshme. Këto pamje shokuese tregojnë sasi të mëdha rrjedhjeje gazi molekular që nxirret nga zonat yll-formuese në Galaktikën e afërt të Skulptorit. Këto rezultate të reja ndihmojnë të kuptojmë numrin e pakët të galaktikave shumë të mëdha në Univers. Studimi u publikua në revistën “Nature” të datës 25 Korrik 2013.

Galaktikat – sisteme të ngjashme me Rrugën e Qumështit të cilat përmbajnë deri në disa qindra miliarda yje – janë gurët themeltar të ndërtimit të kozmosit. Një nga qëllimet ambicioze të astronomisë së sotme është që të kuptojë rrugët në të cilat galaktikat rriten dhe evolojnë, një pyetje kyçe është yll-formimi: çfarë përcakton numri i yjeve të rinj të cilët formohen në një galaktikë?

Galaktika e Skulptorit, e njohur gjithashtu me emrin NGC 253, është një galaktikë spirale që ndodhet në konstelacionin e hemisferës jugore me emrin Skulptor. Me një distancë rreth 11.5 milion vite-dritë larg Sistemit tonë Diellor ajo është një nga fqinjët e afërt ndërgalaktik, ajo është galaktika më e afërt nga galaktikat që kanë një ritëm të madh të formimit të yjeve [1] që shihet nga hemisfera e jugut. Duke përdorur Rrjetin e Madh milimetrik/nënmilimetrik në Atacama (ALMA) astronomët kanë zbuluar kollona të valëzuara tymi të ftohtë që largohen nga qendra e diskut të galaktikës.

Me resolucionin dhe ndjeshmërinë e mrekullueshme të ALMA-s, ne mund të shohim qartë për herë të parë përqëndrimet e gazit të ftohtë që spastrohet prej erës yjore me presion të lartë që krijohet nga yjet e rinj,” thotë Alberto Bolatto i Universitetit Mariland, USA autor kryesor i këtij botimi. “Sasia e gazit që ne matëm na jep një provë shumë të qartë se disa galaktika që rriten nxjerrin më shumë gaz në krahasim me sasinë e gazit që marrin. Ne mund të jemi duke parë një shembull të një ngjarje të zakonshme në Universin e hershëm.

Këto rezultate mund të na ndihmojnë të shpjegojmë se pse astronomët kanë gjetur në mënyrë të habitshme pak galaktika me masë të madhe nëpër kozmos. Modelet kompjuterike tregojnë se galaktikat e vjetra më të kuqe duket të kenë më shumë masë dhe një numër më të madh yjesh nga sa shohim ne sot. Duket se erërat e galaktikave apo rrjedhja e gaezve jasht galaktkave janë aq të fuqishme sa ato i privojnë galaktikat nga lënda e parë me të cilën formohen yjet e gjeneratave të tjera [2].

Këto struktura formojnë një hark i cili është i orientuar gati në mënyrë perfekte me anët e një gazi të nxehtë e të jonizuar që është vëzhguar më parë duke u larguar,” vuri në dukje Fabian Walter, udhëheqës kërkimor në Institutin Max Planck për Astronominë në Heidelberg, Gjermani, si dhe bashkëautor i botimit. “Ne tani mund tw shohim hap pas hapi avancimin e rrjedhjeve tw gazit nw zonat yll-formuese.”

Kërkuesit përcaktuan që sasi të mëdha gazi molekular – gati 10 herë më shumë se masa e Diellit – largohen çdo vit nga galaktika me shpejtësi nga 150 000 deri në 1 000 000 kilometra në orë [3]. Sasia e përgjithshme e gazit që largohet është më e madhe se sasia e gazit që përdoret nga yjet gjatë fazës së formimit të tyre. Me këtë ritëm galaktika mund të mbetet pa gaz në një kohë prej 60 milion vitesh.

Për mua, ky është shembulli kryesor që tregon se si instrumentet e reja i japin formë të ardhmes së astronomisë. Ne kemi qenë duke studiuar zonat që kanë një ritëm të madh të formimit të yjeve në galaktikën NGC 253 dhe tek galaktikat e tjera të afërta. Por përpara ALMA-s, ne nuk kishim mundësi të shihnim kaq detaje,” thotë Walter. Studimi përdori një konfiguracion të hershëm të ALMA-s me vetëm 16 antena. “Është emocionuese të mendosh se çfarë mund të tregojë e gjithë ALMA me 66 antenat e saj, në lidhje me këtë rrjedhje gazi!” shton Walter.

Studime të tjera duke përdorur të gjithë rrjetin e ALMA-s do të na ndihmojnë të përcaktojmë me siguri atë që do të ndodhë me gazin që shtyhet nga era, studime të cilat do të zbulojnë nëse erërat janë duke e ricikluar apo thjesht duke e larguar materialin yll-formues.

Shënime

[1] Galaktikat “Starburst” prodhojnë yje me një ritëm jashtëzakonisht të madh. Meqë NGC 253 është njëra nga më të afërtat nga galaktikat e këtij lloji, ajo është një objektiv ideal në studimin e efekteve të këtij procesi të furishëm.

[2] Vëzhgimet e mëparshme kanë treguar një gaz më të nxehtë dhe më të rrallë që largohet nga zonat yll formuese të NGC 253, por ajo e vetme mund të ketë shumë pak efekt në fatin e galaktikës përsa i përket formimit të yjeve të reja në galaktikë. Këto të dhëna të reja nga ALMA tregojnë gaze molekularë shumë më të dendura që marrin shtytjen fillestare për shkak të formimit të yjeve të rinj duke u përfshirë së bashku me gazin e hollë e të nxehtë gjatë rrugës së tyre për tek kurora e galaktikës.

[3] Megjithëse shpejtësitë janë të mëdha, ato nuk mund të jenë të mjaftueshme për gazin që të largohet nga galaktika. Ai mund të kapet në kurorën e galaktikës për shumë miliona vjet dhe më pas të bjerë si shi përsëri në diskun e galaktikës, duke nisur përsëri procese të tjera yll-formuese.

Më shumë informacion

Ky kërkim u prezantua në një botim “The Starburst-Driven Molecular Wind in NGC 253 and the Suppression of Star Formation”, nga Alberto D. Bolatto et al., që do të dalin në revistën “Nature” të datës 25 Korrik 2013.

Skuadra përbëhet nga A. D. Bolatto (Departmenti i Astronomisë, Laboratori për Astronominë për valët milimetrike dhe “Joint Space Institute”, Universiteti i Maryland, USA), S. R. Warren (Universiteti i Maryland), A. K. Leroy (Observatori Kombëtar i Radioastronomisë, Charlottesville, USA), F. Walter (Instituti Max-Planck për Astronominë, Heidelberg, Gjermani), S. Veilleux (Universiteti Maryland), E. C. Ostriker (Departmenti i Shkencave Astrofizike, Universiteti Princeton, USA), J. Ott (Observatori Kombëtar i Radio Astronomisë, “New Mexico”, USA), M. Zwaan (Observatori Evropian i Jugut, Garching, Gjermani), D. B. Fisher (Universiteti Maryland), A. Weiss (Instituti Max-Planck për Astronominë, Heidelberg, Bon Gjermani) E. Rosolowsky (Departamenti i Fizikës, Universiteti i Alberta, Kanada) dhe J. Hodge (Instituti Max-Planck për Astronominë, Heidelberg, Germany).

ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare mbi astronominë më e rëndësishmja në Evropë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që funksionojnë në Tokë. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. ESO gjithashtu luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më uniket në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar eskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri europian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society of Albania
Tirana, Albania
Cel: +355 672506587
E-mail: buneci@hotmail.com

Alberto Bolatto
University of Maryland
USA
Tel: +49 6221 528 493
E-mail: bolatto@astro.umd.edu

Martin Zwaan
ESO
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6834
E-mail: mzwaan@eso.org

Fabian Walter
Max-Planck Institut für Astronomie
Heidelberg, Germany
Tel: +49 6221 528 225
E-mail: walter@mpia.de

Richard Hook
ESO, Public Information Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1334.

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1334sq
Facility:Atacama Large Millimeter/submillimeter Array
Science data:2013Natur.499..450B

Fotografitë

Një pamje 3D e vëzhgimeve të ALMA-s të rrjedhjeve nga NGC 253
Një pamje 3D e vëzhgimeve të ALMA-s të rrjedhjeve nga NGC 253
Galaktika aktive në formimin e yjeve NGC 253 e parë me VISTA dhe ALMA
Galaktika aktive në formimin e yjeve NGC 253 e parë me VISTA dhe ALMA
Galaktika NGC 253 në konstelacionin e Skulptorit
Galaktika NGC 253 në konstelacionin e Skulptorit
Një pamje me fushë të gjerë e NGC 253 nga Teleskopi kërkimor VLT
Një pamje me fushë të gjerë e NGC 253 nga Teleskopi kërkimor VLT

Videot

Një video në 3D nga vëzhgimet me ALMA-n mbi rrjedhjet e gazeve tek NGC 253
Një video në 3D nga vëzhgimet me ALMA-n mbi rrjedhjet e gazeve tek NGC 253
Një pamje në 3D nga vëzhgimet me ALMA-n mbi rrjedhjet e gazeve tek NGC 253
Një pamje në 3D nga vëzhgimet me ALMA-n mbi rrjedhjet e gazeve tek NGC 253

Shih dhe