eso1337sq — Publikim shkencor

Zbulohet ylli më i vjetër që i ngjason Diellit

VLT e ESO-s na jep të dhëna të reja për të na ndihmuar të zgjidhim misterin e litiumit

28 Gusht 2013

Një skuadër ndërkombëtare e drejtuar nga astronomët në Brazil ka përdorur Teleskopin Shumë të Madh të ESO-s për të identifikuar dhe studiuar yllin më të vjetër të ngjashëm me Diellin që njihet deri më sot. I pozicionuar 250 vite-dritë larg Tokës, Ylli HIP 102152 ngjason më shumë me Diellin nga yjet e ngjashëm me të – me përjashtim që ai është gati 4 miliard vjet më i vjetër. Ky binjak i vjetër gati identik me Diellin na jep neve për herë të parë mundësinë të shohim se si do të jetë Dielli jonë pas 4 miliard vitesh. Vëzhgimet gjithashtu na japin për herë të parë një lidhje të qartë midis moshës së Diellit dhe përqindjes së sasisë së Litiumit, dhe për më shumë na sugjeron që HIP 102152 mund të përmbajë planetë të ngurtë të ngjashëm me Tokën.

Astronomët kanë vëzhguar vetëm Diellin me teleskopë për 400 vjet – një fraksion kohor ky shumë i vogël po të krahasohet me moshën e Diellit, e cila është më shumë se 4 miliard vjet. Është shumë e vështirë të studiohet historia dhe evolucioni i yllit tonë, por ne mund ta bëjmë këtë duke kërkuar për yje të tjerë të rrallë që janë gati njësoj si Dielli jonë, por në momente të ndryshme të jetës së tyre. Tani astronomët kanë identifikuar një yll që në thelb është identik me Diellin tonë, por 4 miliard vjet më i vjetër. Njësoj sikur po shikon një version real të paradoksit të binjakëve [1].

Jorge Melendez (Universiteti i São Paulo, në Brazil), kryetari i grupit dhe bashkëautor i këtij botimi shpjegon: “Për dekada, astronomët kanë kërkuar për yje të ngjashëm me Diellin me qëllim që ta njohin atë objekt jetëdhënës më mirë. Por shumë pak janë gjetur që nga koha kur u gjet ylli i parë në vitin 1997. Ne tani kemi marrë spektra me kualitet shumë të lartë nga VLT dhe mund të këqyrim me kujdes yjet e ngjashëm me Diellin me një saktësi të lartë, për t’iu përgjigjur pyetjes nëse Dielli është i veçantë.

Skuadra vëzhgoi 2 yje të ngjashëm me Diellin [2] – njëri që mendohej se ishte më i ri de Dielli (18 Scorpii) dhe tjetri që pritej të ishte më i vjetër (HIP 102152). Ata përdorën spektrografin UVES tek Teleskopi Shumë i Madh (VLT) tek Observatori i Paranal-it për të ndarë dritën në ngjyrat përbërëse të saj në mënyrë që përbërësit kimik dhe veçoritë e tjera të këtyre yjeve të studioheshin me shumë detaje.

Ata gjetën që HIP 102152 në konstelacionin e bricjapit (Dhia e Detit) është ylli më i vjetër i ngjashëm me Diellin i njohur deri më sot. Ai vlerësohet të jetë 8.2 miliard vjeçar, duke e krahasuar atë me moshën e Diellit prej 4.6 miliard vitesh. Në anën tjetër “18 Scorpii” është më i ri se Dielli – me moshë reth 2.9 miliard vjeçar.

Duke studiuar binjakun e lashtë të Diellit HIP 102152 astronomët mund të parashikojnë se çfarë mund të ndodhë me Diellin kur ai të arrijë këtë moshë, dhe ata e kanë bërë tashmë një zbulim të rëndësishëm. “Një çështje që donim të dinim ishte që a ka apo jo Dielli një përbërje tipike të tipit të tij,” thotë Melendez. “Më e rëndësishmja, pse ka një përqindje çuditërisht kaq të vogël litiumi?

Litiumi elementi i tretë  tabelës periodike, u krijua nga Big Bang (Shpërthimi i Madh) së bashku me hidrogjenin dhe heliumin. Astronomët kanë vrarë mendjen për vite me rradhë se përse disa yje kanë në përbërjen e tyre më pak litium se të tjerët. Me vëzhgimet e reja të HIP 102152 astronomët kanë bërë një hap të madh përpara drejt zbulimit të këtij misteri duke parë një lidhje të fortë ndërmjet moshës së yjeve të ngjashëm me Diellin dhe sasisë së litiumit tek ata.

Dielli jonë tani ka vetëm 1% litium në përbërjen e tij i cili ishte prezent në materialin nga ku u formua ai. Studimet e yjeve më të rinj të ngjashëm me Diellin kanë treguar se këto objekte te ngjashme përmbajnë dukshëm sasi më të mëdha litiumi, por deri më sot shkencëtarët nuk mund të provonin qartë lidhjen ndërmjet moshës dhe sasisë së litiumit në përbërjen e tyre [3].

TalaWanda Monroe (Universiteti i São Paulo), autore kryesore e materialit të botuar, përmbledh që: “Ne kemi gjetur që HIP 102152 ka nivele shumë të ulta të litiumit. Për herë të parë shihet qartë që sistemet e vjetra në të vërtetë kanë më pak litium sesa Dielli apo yjet e tjerë të ngjashëm me të. Tani ne mund të jemi të sigurtë që yjet e shkatërrojnë litiumin e tyre me kalimin e kohës, dhe sasia e litiumit në Diell duket se është normale për moshën që ka.[4]

Një ndryshim i fundit në këtë histori është që HIP 102152 ka një përbërje kimike jo të zakontë. Ajo është e ndryshme nga shumica e yjeve të ngjashëm me Diellin, por e ngjashme me Diellin. Ata të dy tregojnë një mangësi të elementeve që janë të bollshëm në meteorët dhe në Tokë. Kjo është një provë e fortë që HIP 102152 mund të ketë rrotull vetës planetë të ngurtë të tipit të Tokës [5].

Shënime

[1] Shumë njerëz kanë dëgjuar për paradoksin e binjakëve: një binjak identik ndërmerr një udhëtim hapsinor dhe kthehet në Tokë është më i ri se vëllai i tij. Megjithëse nuk ka ndonjë udhëtim në kohë të përfshirë këtu, ne shohim dy mosha të ndryshme për këto dy yje shumë të ngjashëm – fotografi të Diellit të marra në mosha të ndryshme të tij.

[2] Yje të ngjashëm me Diellin, yje analogë me Diellin dhe yje të tipit të Diellit janë kategori të yjeve në varësi të ngjashmërisë së tyre me Diellin tonë në rastin kur ata kanë masa të përafërta, temperatura dhe përqindje të përafërta të elementeve kimike. Yjet e ngjashëm me Diellin janë të rrallë por tipet e tjera, tek të cilët ngjashmëria nuk është kaq e afërt, janë më të shpeshtë.

[3] Studimet e mëparshme kanë treguar se përmbajtja e litiumit tek yjet mund të ndikohet nëse ai ka rreth tij planetë gjigandë (eso0942, eso0118, Artikulli tek revista “Nature”) megjithatë këto rezultate janë debatuar (ann1046).

[4] Është akoma e paqartë saktësisht se si litiumi shkatërrohet në brendësinë e yjeve megjithatë disa procese janë propozuar tek të cilat litiumi transportohet nga sipërfaqja e yllit drejt shtresave më në thellësi, ku më pas ai shkatërrohet.

[5] Nëse një yll përmban më pak elemente të cilët janë të zakonshëm tek planetët e ngurtë rrotull tij atëherë ky yll ka shumë të ngjarë të ketë planetë të ngurtë të tipit të Tokës rreth tij sepse këto planetë e ruajnë përqindjen e sasisë së elementeve kimike dhe pas çastit të formimit nga disku i madh që rethon yllin. Mendimi që ylli HIP 102152 mund të përmbajë planetë është përforcuar më pas nga shpejtësia radiale që është monitoruar me anën e spektrografit HARPS të ESO-s, i cili tregon që brenda zonës së banueshme të yllit nuk ka planetë gjigandë. Kjo mund të lejojë ekzistencën e planetëve të tipit të Tokës rreth yllit HIP 102152; në sistemet me planetë gjigandë që ndodhen afër yjeve të tyre shanset për të gjetur planetë tokësorë janë shumë më të vogla sepse këto planetë të vegjël trazohen dhe devijohen nga orbita e tyre për shkak të gravitetit të planetëve gjigandë.

Më shumë informacion

Ky kërkim u prezantua në një artikull që do të shfaqet në “High precision abundances of the old solar twin HIP 102152: insights on Li depletion from the oldest Sun” nga TalaWanda Monroe et al. Tek artikujt gazetarë mbi Astrofizikën.

Grupi përbëhet nga TalaWanda R. Monroe, Jorge Meléndez (Universiteti São Paulo, Brazil [USP]), Iván Ramírez (Universiteti i Texasit at Austin, USA), David Yong (National Universiteti Kombtar Australian, Australi [ANU]), Maria Bergemann (Instituti Max Planck për Astrofyzikën, Gjermani), Martin Asplund (ANU), Jacob Bean, Megan Bedell (Universiteti i Çicago-s, USA), Marcelo Tucci Maia (USP), Karin Lind (Universiteti i Kembrixhit, UK), Alan Alves-Brito, Luca Casagrande (ANU), Matthieu Castro, José-Dias do Nascimento (Universidade Federal do Rio Grande do Norte, Brazil), Michael Bazot (Centro de Astrofísica da Universidade de Porto, Portugal) dhe Fabrício C. Freitas (USP).

ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare më e rëndësishme në Evropë në lidhje me astronominë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që janë ndërtuar në sipërfaqen e Tokës. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e Tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. Gjithashtu ESO luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më uniket në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar eskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri europian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society of Albania
Tirana, Albania
Cel: +355 692506587
E-mail: buneci@hotmail.com

TalaWanda R. Monroe
Universidade de São Paulo
São Paulo, Brazil
Tel: +55 11 3091 2815
E-mail: tmonroe - at - usp.br (replace "- at - " with "@")

Jorge Meléndez
Universidade de São Paulo
São Paulo, Brazil
Tel: +55 11 3091 2840
E-mail: jorge.melendez@iag.usp.br

Richard Hook
ESO, Public Information Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1337.
Bookmark and Share

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1337sq
Emri:HIP 102152
Tipi:• Milky Way : Star
Facility:Very Large Telescope
Science data:2013ApJ...774L..32M

Fotografitë

The life cycle of a Sun-like star (annotated)
The life cycle of a Sun-like star (annotated)
vetëm në Anglisht
Image of HIP 102152
Image of HIP 102152
vetëm në Anglisht
Wide-field view of the region around Sun-like star HIP 102152
Wide-field view of the region around Sun-like star HIP 102152
vetëm në Anglisht
The evolution of a solar twin
The evolution of a solar twin
vetëm në Anglisht
The Solar Twin HIP 102152 in the constellation of Capricornus
The Solar Twin HIP 102152 in the constellation of Capricornus
vetëm në Anglisht

Videot

The life cycle of a Sun-like star
The life cycle of a Sun-like star
vetëm në Anglisht
Zooming in on the oldest solar twin HIP 102152
Zooming in on the oldest solar twin HIP 102152
vetëm në Anglisht

Shih dhe