eso1347sq — Foto për publikim

Yjet e rinj pikturojnë një panoramë yjore spektakolare

13 Nëntor 2013

Astronomët tek ESO kanë kapur fotografinë më të mirë deri më sot të reve rrotull mjegullnajës NGC 3572. Kjo fotografi e re na tregon se si këto re gazi dhe pluhuri kanë skalitur sfera të çuditshme, harqe si dhe struktura të habitshme të njohura si “hunda e elefantit” nga erërat yjore që rrjedhin nga grupimet e këtyre yjeve të rinj. Yjet më të ndritshëm tek këto grumbullime yjore janë shumë më të rëndë se Dielli dhe do ta përfundojnë jetën e tyre me shpërthime të tipit supernova.

Shumë yje nuk formohen vetëm, por së bashku me shumë syresh që krijohen pak a shumë në të njëjtën kohë nga një re gazi dhe pluhuri. NGC 3572, në konstelacionin e jugut Carina, është një nga këto grupime. Ajo përmban shumë yje të nxehtë me ngjyrë blu në të bardhë të cilët ndriçojnë shumë dhe që prodhojnë re të fuqishme yjore të cilat tentojnë të shpërndajnë gradualisht gazin dhe pluhurin e mbetur nga rrethinat e tyre. Retë prej gazi që ndriçojnë dhe që shoqërojnë grumbullimet e yjeve janë subjekti tek fotografia e re e marrë me Wide Field Imager tek teleskopi MPG/ESO 2.2-metra tek Observatori i ESO-s në La Silla, Kili [1].

Në pjesën e poshtme të fotografisë mund të shihet akoma një grup i madh resh molekulare, e cila i dha jetë këtyre yjeve të rinj. Ajo është ndikuar shumë nga rrezatimi i fuqishëm që vjen nga pasardhësit e saj që digjen. Rrezatimi jo vetëm që e bën të ndriçojë me një ngjyrë karakteristike, por gjithashtu e skalit atë nëpër forma të çuditshme, ku mund të gjejmë sfera, harqe si dhe shirita të errët të cilat astronomët i quajnë “hunda elefanti” [2].

Një tipar i çuditshëm i kapur në këtë foto është një mjegullnajë e vogël në formën e një unaze e pozicionuar pak mbi qendrën e fotografisë. Astronomët akoma janë të pasigurtë mbi origjinën e kësaj unaze. Mund të jetë ndoshta ajo që mbeti nga reja molekulare nga e cila u formua grumbullimi, ndoshta një sferë e krijuar rrotull  një ylli shumë të nxehtë e të ndritshëm. Por disa të tjerë mendojnë se ajo mund të jetë një lloj i një mjegullnaje planetare me një formë të çuditshme – mbetjet e një ylli që po shkatërrohet [3].

Yjet që lindin brenda një mjegullnaje mund të jenë të ngjashëm, por ato nuk janë binjakë. Ato kanë gati të njëjtën moshë, por të ndryshëm në përmasa, masë, temperaturë dhe ngjyrë. Rruga që do të ndjekë një yll gjatë jetës së tij varet shumë nga masa e tij, kështu një grumbullim do të përmbajë yje në faza të ndryshme të jetës së tyre, duke i dhënë astronomëve një laborator perfekt tek i cili ata mund të studiojnë evoluimin e yjeve [4].

Këto grupime yjesh të rinj qëndrojnë afër njëri tjetrit për një kohë relativisht të shkurtër, zakonisht dhjetëra ose qindra milion vjet. Ata me kalimin e kohës largohen për shkak të ndërveprimeve gravitacionale, por gjithashtu në largimin e tyre ndikojnë dhe shpërthimet në supernova të yjeve më masivë të cilët jetojnë për një kohë të shkurtër duke larguar gazin dhe yjet që ndodhen në grupim.

Shënime

[1] Të dhënat që u përdorën për të krijuar këtë fotografi u morën nga një skuadër e udhëhequr nga astronomi Giacomo Beccari. Ata përdorën fuqinë e Wide Field Imager për të studiuar fizikën e disqeve protoplanetare në yjet e rinj në NGC 3572. Ata u habitën që gjetën yje më të vjetër se grumbullimi kishte yje më të vjetër se 10 milion vjeçare të cilët akoma shtonin masën e tyre, dhe si pasojë ishin akoma të rrethuar nga disqe më lëndë. Kjo provon se yll formimi në NGC 3572 ka vazhduar për të paktën 10-20 milion vjet dhe mund të na tregojë që procesi i formimit të planetëve mund të kërkojë një kohëzgjatje shumë më të madhe nga sa mendohej më parë.

[2] shembujt më të famshëm të këtyre formacioneve të ngjashme me “hundët e elefantëve” janë shtyllat e krijimit tek Mjegullnaja e Shqiponjës, të cilat u fotografuan me shumë detaje nga NASA/ESA Hubble Space Telescope (http://www.spacetelescope.org/images/opo9544a/).

[3] Kur një yll i ngjashëm me Diellin e harxhon të gjithë karburantin e tij, ai shtyn larg vetes shtresat e jashtme të tij në hapësirën rrotull tij. Mbetjet e nxehta të yllit vazhdojnë të shkëlqejnë më forcë tek ky material, duke krijuar shtresa të ndritshme të bukura por jetë shkurtra prej gazi të jonizuar duke formuar të ashtuquajturat mjegullnaja planetare. Ky emër lidhet vetëm me pamjen e jashtme të objektit po të shihet me një teleskop të vogël, siç shihet ai nuk ka lidhje fizike me planetët.

[4] Gjatësia e jetës së një ylli varet shumë nga masa e tij. Një yll me masë 50 herë më të madhe se Dielli do të ketë një jetë vetëm prej pak milion vitesh, Dielli do të jetojë për rreth 10 miliard vjet ndërsa yjet me masë mund të jetojnë për triliarda vjet – shumë më tepër se sa mosha aktuale e universit.

Më shumë informacion

ESO (Observatori Evropian i Jugut) është organizata ndërqeveritare më e rëndësishme në Evropë mbi astronominë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që janë ndërtuar në sipërfaqen e Tokës. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. ESO gjithashtu luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më uniket në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar ekskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri evropian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë me diametër 39 metra që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society of Albania
Tirana, Albania
Cel: +355 692506587
E-mail: buneci@hotmail.com

Richard Hook
ESO Public Information Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Giacomo Beccari
ESO
Santiago, Chile
Tel: +56 (0) 2 2463 3096
E-mail: gbeccari@eso.org

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1347.
Bookmark and Share

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1347sq
Emri:NGC 3572
Tipi:• Milky Way : Star : Grouping : Cluster : Open
Facility:MPG/ESO 2.2-metre telescope

Fotografitë

The star cluster NGC 3572 and its dramatic surroundings
The star cluster NGC 3572 and its dramatic surroundings
vetëm në Anglisht
The star cluster NGC 3572 in the constellation of Carina
The star cluster NGC 3572 in the constellation of Carina
vetëm në Anglisht
Wide-field view of the sky around the star cluster NGC 3572
Wide-field view of the sky around the star cluster NGC 3572
vetëm në Anglisht

Videot

Zooming in on the star cluster NGC 3572
Zooming in on the star cluster NGC 3572
vetëm në Anglisht
A close look at the star cluster NGC 3572 and its dramatic surroundings
A close look at the star cluster NGC 3572 and its dramatic surroundings
vetëm në Anglisht

Shih dhe