eso1401sq — Publikim shkencor

ALMA Vëren Fabrikën e Pluhurit tek Supernovat

06 Janar 2014

Vëzhgime të reja me Rrjetin e Madh Milimetrik/nënmilimetrik të Atacama-s (ALMA) tregojnë për herë të parë, mbetjet plot me pluhur të një supernove që ka shpërthyer kohët e fundit. Nëse një sasi e mjaftueshme e këtij pluhuri kalon në hapësirën ndëryjore mund të shpjegojmë sasinë e pluhurit tek galaktikat.

Galaktikat mund të jenë vende me shumë pluhur [1] dhe supernovat mendohet se janë burimi kryesor i atij pluhuri, veçanërisht në Universin e hershëm. Deri më sot faktet tregonin se supernovat nuk kishin mundësi të prodhonin shumë pluhur, dhe nuk mund të merreshin parasysh në llogaritjet e pluhurit larg në galaktikat e hershme. Por tani vëzhgimet me ALMA-n po e ndryshojnë atë teori.

“Ne këmi gjetur një masë të madhe pluhuri të përqëndruar në pjesën qendrore të shpërthimit nga një supernova e re dhe e afërt,” thotë Remy Indebetouw një astronom në Observatorin Kombëtar të Radio Astronomisë (NRAO) dhe në Universitetin e Virxhinias, të dyja në Charlottesville, USA. Kjo është hera e parë që ne mund të fotografojmë atje ku është formuar pluhuri, gjë e cila është e rëndësishme në kuptimin e evoluimit të galaktikave.”

Një skuadër ndërkombëtare astronomësh përdorën ALMA-n për të vëzhguar mbetjet e ndritshme të Supernovës 1987A [2]. Ajo ndodhet në Renë e Madhe të Magelanit, një galaktikë xhuxhe që rrotullohet rreth Rrugës së Qumështit në largësinë rreth 160 000 vite-dritë larg Tokës. SN 1987A është supernova më e afërt e vrojtuar që nga koha e Johan Kepler-it, i cili vëzhgoi një supernova në Rrugën e Qumështit në vitin 1604.

Astronomët parashikuan se në kohën që gazi ftohej pas shpërthimit, sasi të mëdha pluhuri formoheshin në formën e oksigjenit, karbonit, dhe silicit të bashkuara së bashku në zonat qendrore të mbetjeve të shpërthimit të supernovës. Sidoqoftë vëzhgimet e mëparshme të SN 1987A me teleskopë infra të kuq, të bëra për 500 ditë rrjesht pas shpërthimit, zbuluan sasi të pakta pluhuri të ftohtë.

Me resolucionin dhe ndjeshmërinë e ALMA-s grupi kërkimor mundi të fotografojë këtë pluhur të ftohtë e të bollshëm që ndriçon shumë në gjatësitë e valëve të rendit milimetrik e nënmilimetrik të dritës. Astronomët vlerësojnë se mbetjet e supernovës përmbajnë rreth 25 % të masës së Diellit në formën e pluhurit të sapoformuar. Ata gjetën se janë formuar sasi të konsiderueshme të monoksidit të karbonit dhe monoksidit të silicit.

“SN 1987A është një vend i veçantë sepse nuk është përzier me hapësirën përreth. Kështu ajo sasi lënde që ndodhet atje është prodhuar po atje,” thotë Indebetouw. “Rezultatet e reja të ALMA-s të cilat janë të parat të këtij lloji, na tregojnë mbetjet e supernovës të mbushura me material, i cili nuk ishte disa dekada më parë.”

Sidoqoftë supernovat mund të formojnë dhe shkatërrojnë thërrmijat e pluhurit.

Në momentin që vala e shpërthimit fillestar përhapej nëpër hapsirë, prodhonte unaza të ndritshme lënde, siç shihej në vëzhgimet e mëparshme me Teleskopin Hapsinor Hubble të NASA/ESA. Pasi përplaset me këtë mbështjellje gazi, e cila është nxjerrë nga ylli prind gjigand i kuq në fundin e jetës së tij, një pjesë e këtij materiali kthehet mbrapa në drejtim të qendrës. “Vjen një moment që kjo valë që kthehet mbrapa përplaset me pluhurin e freskët e të riformuar,” thotë Indebetouw. Ka të ngjarë që një pjesë e këtij pluhuri do të copëtohet. Është e vështirë të parashikohet sasia e tij – ndoshta pak, ka mundësi gjysma ose dy të tretat.” Nëse një pjesë e mirë mbijeton dhe del në hapsirën ndëryjore atëherë ajo mund të bëjë pjesë në kategorinë e pluhurit që astronomët shohin në galaktikat e hershme.

Me të vërtetë galaktikat e hershme përmbajnë shumë pluhur dhe ky pluhur luan një rol kryesor në evolucionin e galaktikave,” thotë Mikako Matsuura në Universitetin Kolegj të Londrës, UK. “Sot ne dimë që pluhuri mund të krijohet në disa mënyra, por në Universin e hershëm shumica e tij mund të ketë ardhur nga supernovat. Ne më në fund kemi prova konkrete që mbështesin këtë teori.”

Shënime

[1] Pluhuri kozmik përbëjet nga  thërrmija silici dhe grafiti – minerale këto që gjenden me bollëk ktu në Tokë. Bloza apo tymi i qiririt është shumë e ngjashme me pluhurin kozmik të grafitit, megjithëse përmasat e thërrmijat e grafitit të tymit të qiririt janë rreth 10 herë më të mëdha se ato të pluhurit kozmik.

[2] Drita nga supernova arriti në Tokë në vitin 1987 ashtu siç mund ta kuptojmë dhe nga emri.

Më shumë informacion

Rrjeti i Madh Milimetrik/nënmilimetrik në Atacama (ALMA), një konstruksion ndërkombëtar mbi astronominë, është një partneritet i Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë Lindore, në bashkëpunim me Republikën e Kilit. ALMA është financuar në Evropë nga Observatori Jugor Evropian (ESO), në Amerikën e Veriut nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës (NSF), në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Kërkimeve të Kanadasë (NRC) dhe Këshilli Kombëtar i Shkencës Tajvan (NSC) si dhe në Azinë Lindore nga Instituti Kombëtar i Shkencave të Natyrës (NINS) i Japonisë, në bashkëpunim me Akademinë Sinica (AS) në Tajvan. Ndërtimi dhe punimet tek ALMA udhëhiqen nga ESO, në emër të Amerikës së Veriut nga Observatori Kombëtar Radio Astronomi (NRAO), e cila menaxhohet nga Universitetet e Asociuara, Inc (AUI) dhe në emër të Azisë Lindore nga Observatori astronomik Kombëtar i Japonisë (NAOJ). Observatori i përbashkët ALMA (JAO) siguron udhëheqjen e unifikuar dhe menaxhimin e ndërtimit, komisioneve dhe funksionimin e ALMA-s.

Ky kërkim u prezantua në një botim “Dust Production and Particle Acceleration in Supernova 1987A Revealed with ALMA”, nga R. Indebetouw et al., dhe do të publikohet tek revista “Astrophysical Journal”.

Grupi përbëhet nga R. Indebetouw (National Radio Astronomy Observatory (NRAO); University of Virginia, Charlottesville, USA), M. Matsuura (University College London, United Kingdom [UCL]), E. Dëek (NASA Goddard Space Flight Center, Greenbelt, USA), G. Zanardo (International Centre for Radio Astronomy Research, University of Ëestern Australia, Craëley, Australia [ICRAR]), M.J. Barloë (UCL), M. Baes (Sterrenkundig Obst Gent, Gent, Belgium), P. Bouchet (CEA-Saclay, Gif-sur-Yvette, France), D.N. Burroës (The Pennsylvania State University, University Park, USA), R. Chevalier (University of Virginia, Charlottesville, USA), G.C. Clayton (Louisiana State University, Baton Rouge,USA), C. Fransson (Stockholm University, Sëeden), B. Gaensler (Australian Research Council Centre of Excellence for All-sky Astrophysics [CAASTRO]; Sydney Institute for Astronomy, The University of Sydney, Australia), R. Kirshner (Harvard-Smithsonian Center for Astrophysics, Cambridge, USA), M.Lakicevic (Lennard-Jones Laboratories, Keele University, UK), K.S. Long (Space Telescope Science Institute, Baltimore, USA [STScI]), P. Lundqvist (Stockholm University, Sëeden), I. Martí-Vidal (Chalmers University of Technology, Onsala Space Observatory, Onsala, Sëeden), J. Marcaide (Universidad de Valencia, Burjassot, Spain), R. McCray (University of Colorado at Boulder, USA), M. Meixner (STScI; The Johns Hopkins University, Baltimore, USA), C.-Y. Ng (The University of Hong Kong, Hong Kong), S. Park (University of Texas at Arlington, Arlington, USA), G. Sonneborn (STScI), L. Staveley-Smith (ICRAR; CAASTRO), C. Vlahakis (Joint ALMA Observatory/European Southern Observatory, Santiago, Chile) dhe J. van Loon (Lennard-Jones Laboratories, Keele University, UK).

Më shumë informacion

ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare më e rëndësishme në Evropë në lidhje me astronominë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që janë ndërtuar në sipërfaqen e Tokës. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e Tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. Gjithashtu ESO luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më unikët në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar ekskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri evropian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society of Albania
Tirana, Albania
Cel: +355 672506587
E-mail: buneci@hotmail.com

Remy Indebetouw
National Radio Astronomy Observatory (NRAO) and the University of Virginia
Charlottesville, USA
Tel: +1 434 924 4895/+1 434 244 6883
E-mail: remy@virginia.edu

Mikako Matsuura
University College London
London, United Kingdom
Tel: +44 (0)20 7679 4348
E-mail: mikako.matsuura@ucl.ac.uk

Richard Hook
ESO, Public Information Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Charles E. Blue
National Radio Astronomy Observatory, Public Information Officer
Charlottesville, USA
Tel: +1 434 296 0314
E-mail: cblue@nrao.edu

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1401.
Bookmark and Share

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1401sq
Emri:SN 1987A
Tipi:• Local Universe : Star : Evolutionary Stage : Supernova
• X - Stars
Facility:Atacama Large Millimeter/submillimeter Array
Science data:2014ApJ...782L...2I

Fotografitë

Composite image of Supernova 1987A
Composite image of Supernova 1987A
vetëm në Anglisht
Artist's illustration of Supernova 1987A
Artist's illustration of Supernova 1987A
vetëm në Anglisht
Portrait of a Dramatic Stellar Crib*
Portrait of a Dramatic Stellar Crib*
vetëm në Anglisht

Shih dhe