eso1348sq — Foto për publikim
Drama e zjarrtë e Lindjes dhe Vdekjes së Yjeve
27 Nëntor 2013
Reja e Madhe e Magelanit është një nga galaktikat më të afërta me galaktikën tonë. Astronomët tani kanë përdorur fuqinë e Teleskopit Shumë të Madh të ESO-s për të eksploruar zonat më pak të njohura të saj. Kjo fotografi tregon retë e gazit dhe pluhurit ku yjet e rinj e të nxehtë lindin duke i dhënë forma të çuditshme zonës përreth. Por fotografia gjithashtu tregon pasojat që lënë vdekjet e yjeve – filamente të krijuara nga një shpërthim supernova.
E lokalizuar vetëm rreth 160 000 vite-dritë nga ne (eso1311) në konstelacionin e Dorados) (Peshku shpatë), Reja e Madhe e Magelanit është një nga fqinjët tanë galaktikë të afërt. Ajo po formon në mënyrë aktive yje të rinj siç është Mjegullnaja e Tarantulës (eso1033). Kjo foto e re e marrë nga Teleskopi Shumë i Madh e ESO-s në Observatorin e Paranal-it në Kili, eksploron një zonë të quajtur NGC 2035 (në të djathtë), ndonjëherë e quajtur Mjegullnaja e Kokës së Dragoit.
NGC 2035 është një zonë HII, ose një zonë rrezatimi, që përbëhet nga re gazi të cilat ndriçojnë për shkak të rrezatimit energjik që çlirohet nga yjet e rinj. Ky rrezatim largon elektronet nga atomet e gazit, të cilat rikombinohen me atomet e tjerë duke çliruar dritë. Të përziera me gazin janë grumbuj të errët pluhuri të cilët thithin dritë, duke krijuar shirita e forma të errëta nëpër mjegullnajë.
Format me filamente në të majtë të fotografisë nuk janë rezultat i lindjes së yjeve, por i vdekjes së tyre. Ajo u krijua nga njëra nga ngjarjet më të fuqishme që mund të ndodhin në Univers – një shpërthim supernova [1]. Këto shpërthime janë aq të ndritshme sa ato ndriçojnë më shumë se e gjithë galaktika pjesë e së cilës ato janë, përpara se ato të zbehen pas disa javësh apo muajsh (gjithashtu shih eso1315 dhe potw1323a).
Është e vështirë që vetëm duke parë këtë fotografi të përcaktohen përmasat e këtyre reve – ato shtrihen për disa qindra vite dritë. Ato nuk janë në galaktikën tonë. Ato ndodhen shumë larg. Reja e Madhe e Magelanit është gjigande, por kur krahasohet me galaktikën tonë ajo duket shumë e vogël, me dimensionet e saj vetëm 14 000 vite-dritë rreth 10 herë më e vogël se Rruga e Qumështit.
Kjo fotografi u mor nga “FOcal Reducer and low dispersion Spectrograph instrument” të montuar tek Teleskopi Shumë i Madh i ESO-s, i cili është lokalizuar në Observatorin e Paranal-it në Kili, si pjesë e programit të ESO-s Cosmic Gems [2].
Shënime
[1] Ajo që mbeti nga shpërthimi i supernovës dhe që shihet në këtë foto quhet SNR 0536-67.6.
[2] Kjo fotografi vjen nga programi “ESO Cosmic Gems” një iniciativë informimi me qëllim prodhimin e fotografive interesante, intriguese ose tërheqëse për syrin duke përdorur teleskopët e ESO-s, me qëllim edukimi dhe informimi për publikun. Programi përdor teleskopët në kohën kur këto nuk përdoren për vëzhgime shkencore. Të gjitha të dhënat e mbledhura janë gjithashtu në dispozicion për kërkime shkencore, duke u vënë në dispozicion të astronomëve nëpërmjet arkivit shkencor të ESO-s.
Më shumë informacion
ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare më e rëndësishme në Evropë në lidhje me astronominë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që janë ndërtuar në sipërfaqen e Tokës. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e Tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. Gjithashtu ESO luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më unikët në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar eskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri europian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.
Lidhje
Kontakte
Erald Buneci
Astronomy Society of Albania
Tirana, Albania
Cel: +355 692506587
E-mail: buneci@hotmail.com
Richard Hook
ESO Public Information Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org
Rreth Publikimit
Nr. i Publikimit: | eso1348sq |
Emri: | NGC 2035 |
Tipi: | Local Universe : Nebula : Type : Star Formation |
Facility: | Very Large Telescope |